Një 40-vjeçar është mbajtur peng për katër ditë në Belgjikë, pasi u rrëmbye nga tre persona të maskuar që u prezantuan si efektivë policie. Operacioni për lirimin e tij ka çuar në arrestimin e tre të dyshuarve, mes të cilëve dy shtetas shqiptarë.
Ngjarja nisi më 17 gusht, teksa 40-vjeçari po udhëtonte me automjetin e tij në Oppuurseweg. Sipas mediave belge, një makinë i bllokoi rrugën dhe prej saj zbritën tre burra të maskuar. Ata pretenduan se ishin policë dhe mbanin në krah shirita portokalli të ngjashëm me ata që përdoren nga forcat e rendit.
Viktima tentoi të kundërshtonte, por tre personat arritën ta neutralizonin dhe ta fusnin me forcë në bagazhin e automjetit të tyre. Më pas u larguan nga vendi, duke e marrë 40-vjeçarin me vete.
Dëshmitarët që panë skenën arritën të fotografonin targën e makinës së përdorur nga autorët dhe informacioni iu dorëzua menjëherë policisë. Nga verifikimet rezultoi se targa ishte e vjedhur, por gjurmimi përmes sistemit automatik të njohjes së targave, ANPR, u dha hetuesve një pistë të rëndësishme.
Lëvizjet e automjetit i drejtuan autoritetet drejt Charleroi-t, ku dyshohet se 40-vjeçari ishte mbajtur gjatë ditëve të pengmarrjes. Pas një operacioni hetimor që zgjati disa ditë, policia arriti ta lironte më 21 gusht. Prokuroria e Antverpit bëri të ditur se, pavarësisht asaj që kishte kaluar, viktima ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
Po atë ditë, autoritetet kryen kontrolle në disa banesa në Antverp, Bruksel dhe Saint-Gilles. Operacioni përfundoi me arrestimin e tre personave: dy shqiptarë, përkatësisht 27 dhe 42 vjeç, si dhe një belg 44-vjeçar. Ata dyshohen për përfshirje në rrëmbimin dhe mbajtjen peng të 40-vjeçarit.
Gjykata ka konfirmuar deri tani masën e arrestit për dy prej të dyshuarve, ndërsa për personin e tretë pritet një vendimmarrje e mëvonshme.
Hetimet vazhdojnë për të zbuluar motivin dhe personat e tjerë që mund të kenë qenë të përfshirë. Një nga pistat kryesore që po shqyrtohet nga autoritetet belge është mundësia që pengmarrja të ketë ardhur si pasojë e një konflikti të lidhur me trafikun e drogës.
