Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arrestimin e Amar (Dritan) Shkëmbit në Emiratet e Bashkuara Arabe, nën akuzë për përfshirjen në atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndojit.

Mësohet se autoritetet shqiptare, prej një muaji kishin siguruar informacion se 39-vjeçari ndodhej jashtë vendit. Prej dy javësh ai është mbajtur nën vëzhgim. Në momentin që policia ka ndërhyrë për ta arrestuar nuk i janë gjetur asnjë dokument identifikimi me vete.

Identifikimi nga policia se kishin të bënin me të njëjtin person është bërë nëpërmjet shenjave të gishtave. Mësohet se fillimisht Shkëmbi ka bërë rezistencë.

Bëhet me dije nga burimet për mediat se Amar Shkëmbi është arrestuar edhe më herët, në 2018 në Holandë, pasi i janë gjetur dhe sekuestruar 60 kg heroine, por nuk dihet si ka dalë nga burgu.