Pas më shumë se 50 orësh kërkime intensive, është gjetur trupi i pajetë i Armando Zajsit, 37 vjeç, nga Laçi, i cili humbi jetën pas një aksidenti me mjet lundrues në Liqenin e Ulzës.
Operacioni i kërkim-shpëtimit u zhvillua me pjesëmarrjen e forcave të shumta shtetërore dhe vendore. Në aksion u angazhuan Forcat e Armatosura, Forca Detare, RENEA, Policia e Shtetit, shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Mbrojtja Civile, si dhe dhjetëra vullnetarë dhe familjarë.
Sipas njoftimit të policisë, ngjarja ndodhi më 15 qershor 2026, kur 37-vjeçari dyshohet se humbi kontrollin e mjetit lundrues dhe ra në ujë.
Rreth orës 20:00 të së martës, shërbimet e polumbarëve të RENEA-s, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mat dhe strukturat e tjera të përfshira në operacion, bënë të mundur gjetjen, nxjerrjen nga liqeni dhe identifikimin e trupit të pajetë të A. Z.
Trupi i viktimës do të transportohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e ekspertizës mjekoligjore, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
