Ngjarja tragjike e ndodhur në fshatin Orizaj të Berat, ku një 15-vjeçar u mbyt pasi hyri të lahej në lumë ka tronditur të gjithë komunitetin. Mes dhimbjes për ndarjen e parakohshme nga jeta, një nga shoqet e klasës ka ndarë një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar të miturin me fjalë emocionuese.

 “Ka njerëz që kalojnë në jetën tonë dhe lënë gjurmë që nuk fshihen kurrë. Fatjoni ishte një prej tyre. Largimi yt na la një dhimbje që nuk përshkruhet me fjalë dhe një boshllëk që nuk do të mbushet kurrë. Është e padrejtë të flasim për ty në kohën e shkuar. Ende duket e pabesueshme që nuk je më mes nesh. Kujtimet, buzëqeshja dhe mirësia jote do të mbeten përgjithmonë në zemrat tona.

Do të na mungosh në çdo bisedë, në çdo të qeshur dhe në çdo moment që dikur e ndanim bashkë. Nuk do të harrohesh kurrë, sepse njerëzit si ti jetojnë përherë në kujtimet e atyre që i deshën. Ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të gjithë të afërmve. U prehsh në paqe, Fatjon. Zoti të mëshiroftë dhe të dhëntë Xhenetin. Ishe një shok fantastik”, shkruan ajo në mesazhin e saj.

I mituri ishte duke punuar me të atin në arë dhe ka hyrë në lumë për t’u freskuar, por rrjedha e lumit e ka marrë disa metra më poshtë. I ati ka hyrë për ta shpëtuar, por e ka nxjerrë djalin në breg pa shenja jete.