Këtë të premte po zhvillohen homazhe në nderim të kapitenit Arben Anamali, i cili humbi jetën në ujërat e Liqenit të Shkodrës teksa po shpëtonte dy turistë.

Mes lotësh bashkëshortja e të ndjerit ka treguar për momentet kur mësoi lajmin e rëndë për humbjen e bashkëshortit. Ajo tha se nuk e mendoi kurrë se ai do mbytej pasi ka qenë një notar shumë i mirë.

“Është një dhimbje e madhe për të gjithë familjen tonë, për nënën, mua për fëmijët. Për të gjithë ata që e kanë njohur sepse Arbeni ka qenë njëri shumë i mirë dhe i përkushtuar. Dha jetën e vet për turistët. Një kolege e tij me mori në telefon e më tha që po nis dikë t’ju marrë sepse Arbeni ka pësuar një aksident në liqen. Mendova se ishte aksident i lehtë por kurrë që është mbytur, sepse ka qenë shumë i fortë fizikisht, notar i mirë”, tha bashkëshortja e të ndjerit, Najada Anamali.

Arben Anamali ishte kapiten në anijen e cila shërbente për shëtitjen e turistëve në Liqenin e Shkodrës. Ai hyri në liqen për të shpëtuat 2 turistë që po mbyteshin por fatkeqësisht nuk mundi të dilte i gjallë.

Pas 48 orësh kërkime ai u gjet nga polumbarët. Mes nderimesh dëshmori i atdheut Arben Anamali u përcoll për në banesën e fundit.