Gjykata Penale e Tiranës pritet të zhvillojë këtë të premte seancën për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj shtetases turke Julide Yazici, e cila u ndalua disa ditë më parë në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, pas një kërkese për ekstradim të ardhur nga autoritetet turke.
Yazici u arrestua më 5 gusht nga Policia Kufitare, pasi ndaj saj rezulton një vendim dënimi i dhënë nga Gjykata e Stambollit. Ajo është dënuar me 4 vjet e 2 muaj burg për veprat penale që lidhen me mbështetjen logjistike dhe përfshirjen në një organizatë që autoritetet turke e konsiderojnë terroriste.
Sipas raportimeve të mediave në Turqi, shtetasja turke ushtron profesionin e mësueses dhe më herët ka marrë pjesë në protesta kundër presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se ajo disponon edhe leje qëndrimi në Francë.
Në sallën e gjyqit, mbrojtja e saj po përfaqësohet nga dy avokatë, një shqiptar dhe një turk. Ky i fundit, sipas burimeve, ka njoftuar edhe Ambasadën e Francës në Tiranë për arrestimin e klientes së tij dhe procedurën e ekstradimit, duke argumentuar se statusi i saj i qëndrimit në Francë duhet të merret në konsideratë gjatë shqyrtimit të çështjes.
Pas paraqitjes së argumenteve nga prokuroria dhe mbrojtja, Gjykata Penale e Tiranës pritet të vendosë mbi masën e sigurisë që do të zbatohet ndaj Julide Yazici, ndërsa procedurat për kërkesën e ekstradimit vijojnë sipas legjislacionit në fuqi.
