Një 30-vjeçar është arrestuar në Durrës, pas një ndjekjeje nga policia që përfundoi me katër automjete të përplasura.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00, në rrugën “Pavarësia”, ku policia konstatoi një automjet pa targa dhe me xhama të zinj, që kryente manovra të rrezikshme.
Sapo pa efektivët, drejtuesi shtoi shpejtësinë dhe tentoi të largohej. Gjatë arratisjes ai goditi katër automjete, duke rrezikuar qytetarët dhe punonjësit e policisë.
Më pas, 30-vjeçari braktisi makinën dhe tentoi të largohej me vrap, por u kap nga efektivët.
Nga verifikimet rezultoi se automjeti ishte vjedhur një ditë më parë në Tepelenë, ndërsa 30-vjeçari ishte shpallur në kërkim për vjedhje.
