Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur të pafajshëm kreun e Partisë “Mundësia”, Agron Shehaj, për akuzën e shpifjes, pas padisë së ngritur nga biznesmeni Bashkim Ulaj dhe shoqëria “Gener 2” sh.p.k.
Çështja penale ishte dërguar në gjykatë nga paditësit, të cilët e akuzonin Shehajn për veprën penale të “Shpifjes”, të parashikuar në nenin 120, paragrafi 2 të Kodit Penal.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, trupi gjykues i GJKKO-së, i kryesuar nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, vendosi deklarimin e pafajshëm të Agron Shehajt.
Sipas vendimit nr. 64, të datës 31 korrik 2026, gjykata vlerësoi se akuza për shpifje nuk u provua gjatë procesit gjyqësor.
Vendimi parashikon që shpenzimet gjyqësore të mbeten sipas përcaktimeve të gjykatës, ndërsa palët kanë të drejtë ta ankimojnë atë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 15 ditëve nga marrja dijeni për vendimin e arsyetuar.
NJOFTIM PËR MEDIAT
1. Viktimat akuzuese Bashkim Ulaj dhe Shoqëria “GENER 2” sh.p.k kanë paraqitur pranë Gjykatës kërkesën për gjykimin e çështjes penale me të akuzuar shtetasin Agron Shehaj, i akuzuar për veprën penale “Shpifja”, të parashikuar nga neni 120, paragrafi 2, të Kodit Penal. 2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarja Atalanta Zeqiraj, me vendimin nr. 64, datë 31.07.2026, vendosi: 1. Deklarimin e pafajshëm të të akuzuarit Agron Shehaj, lidhur me veprën penale “Shpifja”, të parashikuar nga neni 120, paragrafi 2, të Kodit Penal. 2. Shpenzimet gjyqësore siç janë kryer. 3. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve, nga e nesërmja e marrjes dijeni lidhur me vendimin e arsyetuar.
