GJKKO la në fuqi të shtunën 7 nga 8 masat e sigurisë të caktuara në mungesë për personat e dyshuar për mashtrim kompjuterik e grup kriminal, zbuluar nga një hetim i SPAK dhe autoriteteve gjermane.
Për 4 prej tyre u la në fuqi masa e sigurisë arrest me burg, ndërsa 3 të tjerë në arrest shtëpie. 1 person tjetër i dyshuar si pjesë e këtij grupi vijon të jetë në kërkim dhe rezulton të jetë larguar nga Shqipëria.
Identifikimi i kësaj skeme, ku u parandalua vjedhja e 10 milion eurove përmes thirrjeve telefonike që bëheshin nga Tirana, erdhi pas provave të sekuestruara në prill të 2024 në një tjetër “call center” të paligjshëm në kryeqytet.
Qytetarëve gjermanë, të dyshuarit u prezantoheshin si oficerë policie që do t’u mundësonin rikuperimin e parave të humbura për investime në forex apo criptovaluta. Prej disa ditësh në Tiranë, për operacionin e koduar “Pandora”, zbarkuan disa oficerë gjermanë.


