SPAK ka nisur hetimet ndaj ish-drejtorit të Burgjeve, Agim Ismaili, për një tentativë të hakerimit të adresave të email-eve të prokurorëve të posaçëm. Hetimi u hap pas një informacioni të siguruar më 12 mars 2025, sipas të cilit SPAK u bë objektiv i një ndërhyrjeje të paligjshme në sistemin e tij të brendshëm.

Agim Ismaili, i cili u paraqit sot në ambientet e SPAK për t’u intervistuar, doli nga ky institucion pas një periudhe hetimi. Sipas autoriteteve, ndërhyrja e tentuar në adresat e email-eve të prokurorëve të SPAK ka qenë e pamundur për t’u realizuar falë masave të sigurisë të ngritura në këtë strukturë.

SPAK ka theksuar se, megjithë tentativën për hakerim, sistemi i brendshëm i SPAK ka mbetur i pacënuar dhe i paprekur, duke vënë në dukje se masat e sigurisë janë efektive për të mbrojtur informacionin dhe punën e prokurorëve.