Pasi u përjashtua nga gara për kreun e Partisë Demokratike, ish-deputeti Ervin Salianji i është drejtuar me një letër PPE dhe drejtuesve të partive europiane të qendrës së djathtë.
Në letër, Salianji ngre shqetësimin për bllokimin e garës për kryetar të Partisë Demokratike, mosrespektimin e statutit të partisë, përjashtimet arbitrare të anëtarëve dhe kandidatëve, mungesën e transparencës dhe shkeljen e rregullave themelore të pluralizmit politik. Më tej, Salianji nënvizon se Partia Demokratike, si pjesë e familjes politike europiane, duhet të jetë model i demokracisë së brendshme dhe jo simbol i mbylljes, përjashtimeve dhe interesave personale.
Salianji kërkon nga PPE dhe drejtuesit e partive të djathta europiane një angazhim parimor dhe konstruktiv për të inkurajuar dialogun, respektimin e normave statutore dhe ruajtjen e standardeve demokratike brenda Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ai rithekson në fund të letrës angazhimin e tij për vlerat europiane, demokracinë, shtetin e së drejtës, pluralizmin dhe integrimin europian të Shqipërisë.
Letra i eshte drejtuar Presidentit të Partisë Popullore Europiane (PPE), Manfred Weber, si dhe drejtuesve të partive kryesore të qendrës së djathtë europiane pjesë e PPE-së, mes tyre Kancelarit të Gjermanisë Friedrich Merz dhe Kryeministrit të Greqisë Kyriakos Mitsotakis.
