Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike është shoqëruar edhe me tensione, pasi anëtarja e PD-së, Ilirjana Kuçana, është përplasur me kryetarin e partisë, Sali Berisha.
Pas mbledhjes, Kuçana foli për mediat jashtë selisë blu, ku ngriti akuza për mënyrën se si funksionon, sipas saj, procesi i përzgjedhjes së drejtuesve brenda Partisë Demokratike.
Ajo deklaroi se në PD është krijuar një problem serioz, duke pretenduar se mbështetja e sekretarit të përgjithshëm në detyrë, Flamur Noka, është vendimtare për këdo që synon të marrë një pozicion në parti.
“Duhet të marrësh mbështetjen e Mulit për të marrë një pozicion në PD. Kjo është e patolerueshme. ‘Mulizmi’ është një fenomen që duhet luftuar. I ftoj të gjithë demokratët që ta luftojnë këtë fenomen. Duhet të votojmë njerëz që janë të shkëputur nga klanet. Kemi sekretarë që janë larguar dhe kanë shkuar në gjirin e Edi Ramës. Ju ftoj, në ditët në vazhdim do të ketë informacione të tjera.
Në momentin që në forumet e partisë nuk më dëgjohet zëri, unë do të dal ta bëj publike për demokratët. Në momentin që PD nuk do të duhet të dëgjojë anëtarët e Këshillit Kombëtar, ky është një problem shumë i madh. PD duhet të afrohet sa më shumë me protestën.
Më lejoni t’ju them që PD dhe Këshilli Kombëtar duhet të dilte me një rezolutë mbështetëse. Ne jemi PD që funksionon me rezoluta dhe shkresa. Kërkova që të dilte me një rezolutë serioze në mbështetje të protestës”, tha Kuçana.
