Është zbardhur identiteti i shqiptarit që humbi jetën në një aksident të rëndë rrugor në Itali katër ditë më parë. Viktima është Leonard Fjora, 32 vjeç, banues në Marzabotto.
Ngjarja ndodhi në autostradën Porrettana, në zonën e Bolonjës, ku automjeti tip “Volkswagen” që drejtonte shqiptari u përplas frontal me një kamion plehrash. Pas përplasjes, makina mori flakë, duke e bërë ndërhyrjen e shpëtimit tepër të vështirë.
Pavarësisht mbërritjes së shpejtë të zjarrfikësve, ambulancës dhe policisë, 32-vjeçari nuk mundi të shpëtonte. Identifikimi i tij u krye me vonesë për shkak të dëmeve të mëdha që pësoi automjeti dhe djegies së dokumenteve personale.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se shkak i aksidentit mund të ketë qenë moti i keq dhe prania e akullit në rrugë. Policia bën me dije se makina e shqiptarit ka dalë nga korsia e saj dhe ka kaluar në krahun e kundërt, ku është përplasur me kamionin, përpara se të godiste barrierat anësore.
Autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë e një manovre të gabuar parakalimi apo humbjeje kontrolli të mjetit.
Drejtuesi 61-vjeçar i kamionit nuk pësoi lëndime serioze, por u trajtua në vendngjarje për gjendje shoku.
Karabinierët e Casalecchio vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa aksi rrugor qëndroi i mbyllur për disa orë dhe trafiku u devijua në rrugë alternative.
