Gjykata italiane ka konfirmuar arrestimin e Kristian Prenit, 23-vjeçarit shqiptar të ndaluar me rreth 200 kilogramë kokainë, me vlerë tregu rreth 16 milionë euro. Sipas mediave italiane, ai u kap nga karabinierët e njësisë hetimore të Romës, nën koordinimin e njësisë antimafia të prokurorisë.

Preni u ndalua duke ecur në rrugë me një çantë në shpinë, ndërsa në banesën e tij në Via Barumini, në lagjen Borghesiana, policia gjeti tetë çanta të mbushura me drogë — gjithsej 191 pako me logo të ndryshme, që përbënin rreth 8,000 doza kokainë. Pronari i apartamentit ka deklaruar se nuk kishte dijeni për aktivitetin e qiramarrësit.

Para gjykatës, i riu shqiptar ka mohuar përfshirjen e tij në trafikun e drogës, duke thënë se ishte kthyer në Itali “për të kërkuar punë si hidraulik apo diçka të ngjashme, që të ndihmoja familjen time të varfër në Shqipëri.” Ai theksoi se kishte kaluar muaj të tërë pa gjetur punë dhe se dikush mund ta kishte punësuar “si kujdestar” pa dijeninë e tij për drogën.

“Kisha qenë tashmë në Itali, në veri. Kisha kërkuar punë si hidraulik ose diçka e ngjashme për të fituar para për t’ia dërguar familjes sime në Shqipëri. Ata janë të varfër. U përpoqa të gjeja një punë të ndershme, por nuk munda. Në gjashtë muajt e fundit, u ktheva në Romë.”– shprehet Preni.

Avokatja e tij mbrojtëse, Dalila Milano, tha për RomaToday se Preni “nuk i përshtatet profilit të një trafikanti” dhe se “ai më siguroi se droga dhe arma nuk ishin të tijat.” Milano njoftoi se do të bëjë apel për rishikimin e masës së sigurisë, pasi gjyqtarja hetuese ka urdhëruar paraburgimin e 23-vjeçarit.

Sipas burimeve hetimore, Preni ka një precedent penal për trafikim droge dhe është deklaruar fajtor më herët për një vepër të ngjashme, megjithatë nuk konsiderohet një “shef krimi”.

Në makinën e tij u gjet gjithashtu një ndarje e fshehtë, e përdorur për transportimin e drogës, si dhe shuma të konsiderueshme parash. Hetuesit po përpiqen të zbulojnë burimin e fondeve që janë përdorur për pagesën e qirasë dhe për të përcaktuar kujti i përkisnin 200 kilogramët e kokainës.

Hetimet vazhdojnë nën drejtimin e njësisë antimafia të Romës.