Klestor Veseli, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, ai ka ndarë me ndjekësit emocionet dhe momentet e përjetuara nga familjarët në sallën e gjyqit, para dhe gjatë shpalljes së vendimit.
Një prej momenteve që ai veçon është takimi me të atin në sallën e gjyqit. Sipas rrëfimit të tij, të dy shkëmbyen një shenjë me duar, të cilën e kanë përdorur si një simbol personal për të shprehur “të dua”. Klestor Veseli shpjegon se kjo shenjë lidhet edhe me gjuhën e shenjave dhe ishte përdorur më herët nga Kadri Veseli gjatë fushatave politike.
Ai thotë se familjarët kishin krijuar një ide për atë që do të ndodhte edhe përpara se gjykatësit të shpallnin zyrtarisht vendimin.
“Dënimi u shqiptua, por para se të shqiptohej ai u paralajmërua nga gjykatësit. Përmes rreshtave e kuptova se babin dhe shokët e tij do t’i dënojnë”, shkruan ai.
Klestor Veseli shpreh bindjen se vendimi është ndikuar politikisht dhe thekson se familjarët do të vijojnë betejën përmes procesit të apelit.
“Ne vazhdojmë të besojmë në botën perëndimore, vazhdojmë të besojmë se Apeli do e korrigjojë këtë vendim”, shprehet ai.
Në mesazhin e tij, djali i Kadri Veselit u bën thirrje mbështetësve që të mos reagojnë me urrejtje apo përçarje, duke nënvizuar se familjarët nuk e konsiderojnë dorëzimin një alternativë.
Ai ka përmendur gjithashtu familjet e dëshmorëve, të zhdukurve dhe të gjithë atyre që kanë sakrifikuar gjatë luftës në Kosovë, duke shprehur mirënjohje ndaj tyre.
Në përfundim të reagimit, Klestor Veseli përmend emrat e Kadri Veselit, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, duke deklaruar se, sipas bindjes së tij, ata do të dalin të pafajshëm përballë Zotit dhe popullit shqiptar.
Reagimi i plotë:
Natën e 15 Shtatorit, ia arrita të fle gjumë, por jo të pushoj. Atë natë kisha shkuar të shoh axhallarët e mi, t’i përqafoj fort dhe të mundohem t’u jap e të marr forcë e kurajo përballë asaj që na priste nesër.
Ne ishim optimistë dhe pozitivë, por refuzoja t’ia lija asgjë në dorë rastësisë, doja të ishim të përgatitur për gjithçka, duke konsideruar historinë e popullit tonë, e të individëve si Adem Demaçi, i cili mbajti padrejtësisht 28 vjet burg në burgjet e Jugosllavisë, 1 vit më shumë se Nelson Mandela, simbol botëror i lirisë dhe rezistencës.
Një natë më herët i kisha kërkuar hotelit të aranzhojë një taksi që të na dërgonte në drejtim të Gjykatës.
Në mëngjes, gjatë rrugës po shihja jashtë dritares së automjetit makinat e ndryshme me tabela të huaja, por që ishin shqiptarët tanë. Këtë e tregonin flamujt e UÇK-së, herë të mbështjellë në pjesën e përparme të makinës e herë duke valvitur nga dritaret e hapura. Kaluam ambasadën, logoja e UÇK-së e ngjitur në dyert e saj, kaluam parkun në të cilin kishim protestuar vite më parë, i cili ishte mbushur me njerëz e me ngjyrat e Ushtrisë Çlirimtare.
Arritëm në gjykatë. Nuk e di si u futëm brenda nga kallaballëku. Por rreth orës 08:45 veçse kishim zënë vendet në galerinë e publikut. Aty ishin të gjitha familjet, të gjithë në emocione duke pritur që perdet të hapen dhe t’i shohim më në fund, më të shtrenjtët tanë.
Kur ora preku 09:00, ajo ishte ora më e gjatë e jetës time. 60 minutat e radhës m’u dukeshin si 60 orë, më dukej sikur kalonin dhjetëra orë kur i afrohesha axhës tim, Veselit, për t’i kërkuar t’ia shoh orën dhe veç 10 minuta kishin kaluar. Në një moment, kërkova ndjesë dhe u largova që të shkoj te dollapi ku ishte telefoni im, që të kontaktoja edhe njëherë me nënën, të sigurohesha se ata janë mirë dhe të përgatitur.
Perdet më në fund u hapën, pashë babin tim, duke ngritur sytë drejt galerisë të publikut dalëngadalë duke skanuar se ku jemi ulur, ashtu siç bën gjithmonë në seancat ku kam marrë pjesë.
Sytë na u takuan, e përshëndeta babin me atë shenjë që ai kishte përdorur gjatë fushatave të tij politike. Shenjë që mbase shumica nuk ia dinë kuptimin. Në gjuhën e shenjave, ai simbol do të thotë të dua, babi e pat mësuar këtë nga fëmijët e fshatit SOS, dhe pat vendosur ta përdorë për t’i përcjellë një mesazh edhe popullit tonë.
Nuk kishim mundur të flasim gjatë ditëve paraprake, telefonata e caktuar më 15 Shtator, kur unë isha në Hagë, kishte dështuar për arsye teknike. Duke njohur babin tim, e dija se gjysma më e madhe e merakut të tij ishte si jemi ne emocionalisht. Nuk kisha mundur t’i tregoj atij se jemi të fortë, ndaj mundohesha që përmes shenjave dhe mimikave t’ia kumtoj atë mesazh.
Dënimi u shqiptua, por para se të shqiptohej ai u paralajmërua nga gjykatësit. Përmes rreshtave e kuptova se babin dhe shokët e tij do t’i dënojnë. Kishte ndodhur ajo që ishim frikësuar.
As unë, as familja ime, as familja e axhit Hashim, as ajo e bacës Jakup, e as ajo e axhës Rexhë nuk jemi frikësuar nga drejtësia, por nga politika.
Ata burra, prindërit tanë, padyshim se janë të pafajshëm, por në këtë rast sinqerisht m’u krijua përshtypja se nuk ishte çështje e gjykimit të fajësisë apo pafajësisë, është çështje e pyetjes:
“Si mund ta justifikojmë një dënim për këta burra?”
Përballë kësaj padrejtësie, ne vazhdojmë të besojmë në botën perëndimore, vazhdojmë të besojmë se Apeli do e korrigjojë këtë vendim kaq të zhytur me politikë dhe padrejtësi, komplet kundër vlerave që përfaqëson bota e Perëndimit.
Një gjë duhet të dihet, nuk ekziston opsioni i dorëzimit, nuk ekziston opsioni i turpërimit, dhe nuk ekziston opsioni i mërzisë e urrejtjes.
Ua kemi borxh atyre fëmijëve të dëshmorëve, që kanë shikuar jashtë dritares si fëmijë duke e pritur rikthimin e prindërve të tyre në shtëpi e që nuk ndodhi asnjëherë. Ua kemi borxh grave të atyre luftëtarëve që fati ua kërkoi të forcohen, të marrin dy rolet e shtëpisë e t’u krijojnë fëmijëve të tyre një ambient të shëndoshë për t’i rritur. Ua kemi borxh të zhdukurve e familjeve të tyre, që nuk kanë një varr ku t’i vendosin lulet në përkujtim.
E në fund, ia kemi borxh njerëzve të mirë të Kosovës, popullit shqiptar. Këtij populli që u mblodh në shesh e iu dolën lotët në sy kur dëgjuan për padrejtësinë që ndodhi në Hagë. Këtij populli që në çdo protestë dolën e thirrën për drejtësi. Këtij populli që respektuan paqen e dëshmuan njerëzillëkun dhe civilizimin. Këtij populli që ka duruar shumë, e ka përbirë shumë veç për të arritur lirinë e mirëqenien.
Njeriu përgjigjet dhe mund të gjykohet vetëm nga dy entitete: nga Zoti dhe nga populli i tij. E para Zotit e popullit shqiptar, babi im, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Salih Mustafa dhe Pjetër Shala gjithmonë do të dalin me faqe të bardhë.
