Të tjera detaje janë bërë publike në lidhje me atentatin e ndodhur një natë më parë në Lezhë, ku nga breshëria e plumbave mbeti i plagosur Sokol Daci, 30 vjeç, pronar i një berberhane. Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se Daci nuk ka qenë shënjestër e sulmit, por në momentin e atentatit ndodheshin edhe katër persona të tjerë në berberhanen e tij. Mes tyre ka qenë edhe Merando Nikulaj, nipi i Ardian Nikulajt, i cili dyshohet të ketë qenë shënjestra e vërtetë e atentatit.

Sipas informacioneve nga burime të afërta me hetimet, Nikulaj nuk është shoqëruar ende për t’u marrë në pyetje, por policia po ushtron kontrolle në disa biznese dhe banesa për ta arrestuar dhe marrë në pyetje. Ka dyshime të forta se 21-vjeçari mund të jetë plagosur gjatë sulmit, pasi kamerat e sigurisë e kanë kapur atë duke u larguar nga vendngjarja me vështirësi.

Në lidhje me vrasjen e Ardian Nikulajt, e cila ndodhi në prill 2023, hetimet sugjerojnë se urdhërues i këtij atentati ka qenë Edmond Haxhia. Dyshohet se Haxhia, në bashkëpunim me shtetas të huaj, ka organizuar vrasjen pas një periudhe intensive vëzhgimi të Nikulajt në hotel. Vrasësit e kanë qëlluar Nikulajn në lokal, duke e lënë të vdekur në vend.

Pas ngjarjes, një pjesë e vrasësve janë larguar nga Rinasi, ndërsa të tjerë janë arratisur drejt Greqisë. Megjithatë, ata janë arrestuar një nga një gjatë hetimeve që kanë pasuar. Vrasja e Ardian Nikulajt dhe lidhjet e tij me ngjarjen aktuale janë pjesë e një grupi të gjerë hetimesh që po zhvillohen për zbardhjen e motiveve dhe autorëve të atentatit në Lezhë.