42-vjeçari shqiptar Alesio Xhelo, i cili mbeti i plagosur në kokë gjatë një përplasjeje me policinë greke në Pire, rezulton me një histori të gjatë kriminale që nis që në moshën 11-vjeçare.

Sipas mediave greke dhe burimeve policore, ai ka hyrë ilegalisht në Greqi që në vitin 1995 dhe që prej asaj kohe është arrestuar dhe akuzuar disa herë për një sërë veprash penale, duke nisur nga vjedhjet dhe grabitjet deri tek tentativat për vrasje, rrëmbimet dhe trafiku i drogës.

Autoritetet greke bëjnë me dije se arrestimi i parë i tij është regjistruar në dhjetor të vitit 1995 nga Departamenti i të Miturve për hyrje dhe qëndrim të paligjshëm në vend. Në vitet pasuese ai u arrestua disa herë të tjera për të njëjtat shkelje, ndërsa në vitin 1997 u akuzua për grabitje.

Në vitin 1998, Gjykata e të Miturve e dënoi për grabitje, armëmbajtje dhe përdorim arme. Ndërkohë, gjatë viteve 1999 dhe 2000 u përball sërish me akuza për vjedhje.

Dosja e tij penale u rëndua më tej në vitin 2002, kur u arrestua për shkelje të ligjit mbi drogën dhe tentativë vjedhjeje. Në të njëjtin vit ai u dërgua për herë të parë në burg pas dënimeve për vjedhje dhe grabitje.

Një nga episodet më të rënda të lidhura me emrin e tij daton në vitin 2003, kur sipas mediave greke ai u identifikua nga një grua si pjesë e një grupi që e rrëmbeu dhe e përdhunoi në një zonë të izoluar në Aspropyrgos.

Në vitet që pasuan, Alesio Xhelo u përfshi në disa çështje të tjera kriminale, përfshirë vjedhje, grabitje dhe pjesëmarrje në banda të armatosura. Në vitin 2012 ai u akuzua se vrau me kallashnikov një person gjatë një tentative për vjedhje automjeti në Kaisariani.

Ndërsa në vitin 2013 u përball me akuza për tentativë vrasjeje, grabitje dhe armëmbajtje, si pjesë e një grupi të armatosur me kallashnikovë, granata dhe pistoleta.

Në vitin 2015 ai u arrestua në Francë, pasi ndaj tij kishte urdhër arresti nga autoritetet greke. Më vonë, në vitin 2016, u akuzua për rrëmbim dhe grabitje në Pire.

Sipas mediave greke, në vitin 2019 ai u arratis nga Drejtoria e Migracionit në Petrou Ralli së bashku me të burgosur të tjerë.

Ndërkohë, në vitin 2022 Gjykata Penale e Apelit e shpalli fajtor për arratisje, rezistencë ndaj policisë, armëmbajtje pa leje, tentativë vrasjeje dhe rrëmbim personi.