Detaje të reja kanë dalë nga ngjarja e rëndë e regjistruar në Sarandë, ku mbeti i vrarë 66-vjeçari Rexhep Ismaili. I plagosuri i konfliktit, Kostandin Vogli, është vetëdorëzuar në polici pas ngjarjes dhe më pas është dërguar në spital për trajtim mjekësor, pasi kishte marrë një plagë me armë zjarri në këmbë.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 31-vjeçari fillimisht ka marrë ndihmën e parë në spitalin e Sarandës, ku është marrë në pyetje edhe nga prokurorja e çështjes. Për arsye sigurie dhe për trajtim më të specializuar, pritet transferimi i tij drejt spitalit të Vlorë.

Sipas hetimeve paraprake, konflikti dyshohet të ketë nisur pas një përballjeje mes Voglit dhe shtetasit Tori Ruci në ambientet e lokalit të Rexhep Ismailit. Hetuesit dyshojnë se tensioni ka agravuar pasi Vogli ka njoftuar persona të tjerë për praninë e Rucit në lokal.

Në rrjedhën e përplasjes, dyshohet se Ismaili ka qëlluar me kallashnikov, duke plagosur Voglin. Më pas, një nga personat që shoqëronte 31-vjeçarin, i dyshuar si Lulzim Tabaku, ka reaguar me armë zjarri, duke qëlluar për vdekje 66-vjeçarin.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se Kostandin Vogli ka precedentë penalë të mëparshëm, ndërsa pista kryesore ku po përqendrohen autoritetet lidhet me mosmarrëveshje për pronësinë e një lokali në zonën bregdetare të Sarandës. Sipas burimeve, tensionet mes palëve kishin ekzistuar prej kohësh dhe ishin rikthyer sërish mbrëmjen e ngjarjes fatale.