Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka vizituar paraditen e sotme në Spitalin e Traumës efektivin e Policisë së Korçë, i cili mbeti i plagosur gjatë një operacioni antidrogë në aksin Korçë–Pogradec.
Dy punonjësit e policisë u dëmtuan pasi një 21-vjeçar, i dyshuar për shpërndarje të lëndëve narkotike, përplasi qëllimisht automjetin e tyre në përpjekje për t’i shpëtuar arrestimit, pranë fshatit Lumalas.
Gjatë vizitës në spital, Hita uroi efektivin për shërim të shpejtë dhe vlerësoi profesionalizmin e treguar gjatë operacionit.
“Keni treguar përgjegjësi dhe profesionalizëm në kryerjen e detyrës. Përmbushja e misionit tonë ka edhe sakrifica, por e rëndësishme është që të rikuperoheni plotësisht”, u shpreh ai.
Sipas Policisë së Shtetit, gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë dy shtetas, 19 dhe 21 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim një 27-vjeçar, pronar i një lokali ku dyshohet se shpërndahej lëndë narkotike dhe organizoheshin lojëra të paligjshme fati.
Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi doza të dyshuara cannabis sativa dhe kokainë, si edhe një tavolinë pokeri që dyshohet se përdorej për aktivitetin e paligjshëm.
