Pas incidentit të rëndë në shkollën e mesme “Mustafa Hoxha” në Cakran të Fierit, ku një 17-vjeçar u plagos me thikë nga një bashkëmoshatar, babai i viktimës ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e sigurisë në shkolla. Në një intervistë për Report TV, ai tregoi tronditjen dhe pasigurinë që ka ndjerë pas ngjarjes.

“Jam nisur së bashku me çunin nga shtëpia nga ora 8. Unë për në punë, djali për në shkollë. Pa shkuar akoma në punë më njoftoi mësuesja dhe tha se djali është goditur pak. Urgjentisht shkova te urgjenca e Cakranit, atje vura duart në kokë. Nuk mora vesh si ndodhi ngjarja,” tha ai.

Babai bëri thirrje për drejtësi dhe kërkoi që institucionet të ndërmarrin hapa për të garantuar sigurinë në shkolla, duke apeluar edhe te kryeministri Edi Rama.

“I kërkoj Edi Ramës mos të kërkoj llogari vetëm në Tiranë, por edhe në Cakran. Sot është djali im, nesër është një tjetër,” shtoi ai, duke deklaruar se nuk ka ndërmend ta dërgojë më djalin në shkollë për shkak të mungesës së sigurisë.