Pesë ditë pas atentatit të 11 nëntorit pranë aeroportit të Rinasit, ka ndërruar jetë edhe Mëç Shaljani, i cili ishte shtruar në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë dhe nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Në vendngjarje, atë ditë, humbi jetën edhe Gilmando Dani, që sapo ishte kthyer nga Spanja.
Policia njoftoi se Shaljani ndërroi jetë gjatë natës, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur motivet dhe autorët e sulmit.
Si ndodhi atentati?
Sipas burimeve zyrtare, më 11 nëntor, pranë rrethrrotullimit të Rinasit, Shaljani dhe Dani po udhëtonin me një automjet të bardhë luksoz, kur u qëlluan me breshëri nga një makinë ende e paidentifikuar. Dani mbeti i vdekur në vend, ndërsa Shaljani u transportua me urgjencë drejt spitalit.
Dyshohet se autorët janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës me një automjet tip “Toyota Yaris” me targa greke. Pak minuta pas ngjarjes, makina e përdorur në atentat u gjet e djegur në fshatin Halil, praktikë e njohur për fshehjen e gjurmëve.
Policia po punon për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit që tashmë ka marrë dy jetë.
