Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, i shoqëruar nga Drejtoresha e Përgjithshme e Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode, vizitoi këtë të martë efektivin Edison Adri, i cili mbeti i plagosur gjatë operacionit të zhvilluar më 4 qershor në Malin Boden të Maliqit.
Operacioni, i ndërmarrë për kapjen e shtetasit me rrezikshmëri të lartë Violand Braçellari, u shoqërua me humbjen e jetës së punonjësit të Policisë, Enea Mekolli, i shpallur tashmë Dëshmor i Atdheut.
Gjatë vizitës në Spitalin e Traumës, Hita i uroi efektivit Adri shërim të shpejtë dhe vlerësoi guximin dhe përkushtimin e tij në përballjen me rrezikun.
“Mbështetja jonë për ty dhe për familjen e Enea Mekollit do të jetë e palëkundur. Pavarësisht rrezikut dhe kostove njerëzore që kjo luftë mund të sjellë, Policia e Shtetit nuk do të tërhiqet asnjë hap përballë krimit”, u shpreh drejtori i Policisë.
Nga ana e tij, Edison Adri falënderoi drejtuesit e Policisë dhe stafin mjekësor për mbështetjen dhe kujdesin e treguar gjatë periudhës së trajtimit.
Ndërkohë, Drejtoresha e Spitalit Universitar të Traumës, Edlira Bode, bëri të ditur se gjendja shëndetësore e efektivit është përmirësuar dhe se ai po merr kujdesin e nevojshëm deri në rikuperimin e plotë.
