Pavlo Vuksani, një nga katër personat që mbetën të plagosur mesditën e sotme në Elbasan, ka qenë punonjës i policisë kriminale.

Më 19 shkurt të vitit 2013, Vuksani ka rënë pre e një atentati me eksploziv. Artan Koçeku dhe dy vëllezërit Nikolin dhe Marjan Thani kanë vendosur eksploziv makinës së ish-efektivit Vuksani, në lagjen “Skënderbeg”, në qytetin e Shkodrës.

Ishte një operacion i koduar “Pikat e karburanteve”, që solli zbulimin dhe arrestimin e autorëve, të cilët veç vendosjes së eksplozivit ndaj automjetit të oficerit të Policisë Vuksani kanë kryer grabitjen e 8 pikave të karburantit në zonën e Shkodrës dhe të Lezhës, vjedhjen e 12 dyqaneve (kryesisht televizorë “Plazma”), si dhe të 2 automjeteve.

Koçeku dhe Thani u vunë në pranga një muaj pasi vendosën eksplozivin. Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale, fatmirësisht. Sot, në rrethana ende të paqarta, Vuksani mbeti i plagosur në masakrën e Elbasanit. Ai ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Çfarë ndodhi sot në Elbasan

Sot në Elbasan u ekzekutua Pjerin Xhuvani, me profesionin mjek. Ai është akuzuar nga Partia Demokratike si mbështetës i Partisë Socialiste dhe i Edi Ramës dhe i lidhur me bandat. 

Autori për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan mësohet se është, Arbër Paplekaj, ish-efektiv i RENEAS, shoqërues i Gazment Bardhit. Ai ka pranuar krimin duke thënë se ka qëlluar për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që po blinin vota.