Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me atentatin e 30 qershorit në Pogradec, ku mbeti i plagosur rëndë shtetasi Brian Syzo. Policia e Korçës ka vënë në pranga dy persona të përfshirë, mes të cilëve vëllain e autorit të dyshuar si dhe vetë shënjestrën e atentatit.
Mësohet se është arrestuar 22-vjeçarin Edison Agolli, i cili shte shpallur në kërkim që prej ditës së ngjarjes, pasi akuzohet se ka qenë i pranishëm dhe ka bashkëpunuar me vëllain e tij dhe dy persona të tjerë në tentativën për të vrarë me armë zjarri Brian Syzon. Mbi 22-vjeçarin rëndon akuza e rëndë “Vrasje me paramendim e kryer për interes, hakmarrje, e mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim”. Përveç pjesëmarrjes në atentatin e Pogradecit, arrestimi i Agollit lidhet edhe me një tjetër detaj. Ai dyshohet se kishte vendosur një kamerë sigurie në afërsi të IEVP Drenovë (burgu i Drenovës) me qëllim që të vëzhgonte dhe të kontrollonte të gjitha lëvizjet e shënjestrës, Brian Syzo.
Nga ana tjetër, pas hekurave ka përfunduar edhe vetë shënjestra e këtij atentati, Brian Syzo, 35 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë në ngjarjen e 30 qershorit. Arrestimi i tij është bërë pasi Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Pogradecit të vitit 2023. Syzo është dënuar përfundimisht me 3 vite e 4 muaj burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, dënim të cilin tashmë duhet ta vuajë në qeli.
