Tre ditë pas atentatit në Lezhë, është përmirësuar gjendja shëndetësore e Sokol Dacit, 30-vjeçarit që mbeti i plagosur aksidentalisht në berberhanen e tij. Burimet e spitalit bëjnë me dije se mëngjesin e kësaj të marte, Daci ka shfaqur shenja përmirësimi, por vazhdon të jetë i intubuar dhe nën mbikëqyrjen e mjekëve në reanimacion.
Ai mori 4 plumba teksa ndodhej në biznesin e tij dhe ka probleme abdominale, por është në gjendje stabile. Daci, i cili është baba i një fëmije 7-muajsh, ka marrë mbështetje nga familja dhe shokët, ndërsa mjekët janë të kujdesshëm për të monitoruar gjendjen e tij.
Atentati, i cili ndodhi në Rrilë të Lezhës, kishte si shënjestër Merando Nikulajn, ndërsa Daci u plagos aksidentalisht. Lidhur me këtë ngjarje, policia e Lezhës shpalli në kërkim katër persona, përfshirë tre të rinj nga fisi Ndoka dhe Merando Nikulajn, i shoqëruar nga polici me iniciale B.K., i cili u ndalua me urdhër të prokurorisë për “shpërdorim të detyrës”.
Sipas hetimeve, Merando Nikulaj dhe polici Besard Kovaci kishin darkuar së bashku dhe kishin udhëtuar drejt Rrilës për t’u qethur, kur atentatorët, të cilët udhëtonin me dy automjete, një Audi dhe një Passat, i kishin ndjekur dhe vëzhguar deri në berberhanen e Dacit. Pas ndalimit të makinave, dy atentatorët zbritën dhe qëlluan me armë zjarri. Ndërkohë, ka pasur një shkëmbim zjarri, pasi polici në berberhane është kundërpërgjigjur me armë.
Në vendngjarje u gjet një çantë krahu me një krehër, por ishin hequr kartat e identitetit, ndërsa dyshohet se ka pasur edhe një armë të dytë të përdorur nga personat që ishin brenda në berberhane. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e lidhjes së këtij atentati me një sherr të ndodhur më 9 mars të vitit 2025 në Shëngjin, ku ishin përfshirë Eliseo dhe Gerardo Ndoka. Megjithatë, në atë kohë, policia e klasifikoi incidentin si një aksident rrugor dhe jo një përplasje.
Policia vazhdon hetimet për të zbuluar motivet e plotë të atentatit dhe lidhjen e mundshme me ngjarjet e mëparshme.
