Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur pak pas mesnatës në qytetin e Beratit, në lagjen Kombinat, ku i dëmtuar ka mbetur 37-vjeçari Fabiel Toska (i njohur edhe si Xhindi).

Policia u njoftua pasi i plagosuri mbërriti në spital i shoqëruar nga një mik i tij. Sipas të dhënave paraprake, Xhindi ishte përfshirë në një debat verbal me disa persona të tjerë. Pasi ka dalë nga automjeti, një individ ende i paidentifikuar dyshohet se e ka qëlluar me armë zjarri dhe më pas është larguar nga vendngjarja.

Burime të policisë thonë se 37-vjeçari nuk ka pranuar të bashkëpunojë dhe nuk ka dhënë informacion për personat e përfshirë në konflikt. Xhindi njihet nga autoritetet si i përfshirë në rrjetet e narkotrafikut në Gjermani dhe Belgjikë.

Mësohet se ai ishte kthyer në Shqipëri rreth 10 ditë më parë. Ndërkohë, policia po punon për identifikimin e autorit dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.