Sot janë plot dhjetë vite nga protesta e 21 Janarit, ku mbetën të vdekur katër persona dhe të tjerë të plagosur.
Ditën e sotme në një lidhje “Skype” me emisionin “Shqipëria Live” ishte Artes Bybeli, i cili në atë kohë është plagosur në qafë. Gjatë bisedës me moderatorët, ai tha se “çdo 21 janar mendojmë për atë që kaluam, presim e presim për drejtësi”.
“Unë jam një nga të plagosurit më të rëndë, përveç atyre që kanë ndërruar jetë. Jam qëlluar me dy plumba.
Edhe në Prokurori kur kam shkuar me dëshirën time për të dhënë dëshmi, se askush nuk më thirri. Më janë bërë pyetjet e zakonshme, kush të qëlloi.
Kam shkuar edhe njëherë në Gjykatë për të dhënë dëshminë time, por unë nuk kam parë asnjë që ka gjuajtur. Kam qenë në mes të turmës dhe ka qenë e pamundur që të identifikosh njeri aty”, tha Bybeli.
Artesi tha më pas se ka shkuar në Gjermani për të marrë trajtim më të specializuar, si dhe ka patur probleme me depresionin pas ngjarjes që ndodhi.
“Kjo datë më kujton shumë gjëra. Jam mundur që ta harroj, por sa herë vjen kjo datë çdo gjë rikthehet. Kur jepen përmbledhjet në TV, më duket se po ndodh tani”, vijoi ai.
I pyetur nëse ka marrë pjesë ndonjëherë në homazhet e bëra çdo 21 janar, Bybeli tha “jo”. “Nuk kam qenë asnjëherë në homazhet që janë bërë në çdo 21 janar, pasi jam harruar nga të gjithë, edhe nga ata që për punë votash na thërrisnin më pas u harrova. 21 janarin e festoj si një ditëlindje të dytë, pasi Zoti më dha një jetë të dytë me plagët që mora unë”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, gjatë protestës së Partisë Socialiste, që ishte atë kohe në opozitë. Ata sot kanë marrë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, familjarët përsërsin vazhdimisht apelin për drejtësi.