Emri i pedagogut dhe analistit politik, Ermal Hasimja, është përfshirë në listën e kandidatëve të mundshëm të opozitës për Bashkinë e Tiranës. Pas publikimit të kësaj liste, Hasimja reagoi me një deklaratë publike ku shprehu vlerësimin për propozimin.

“Ndjehem padyshim i vlerësuar që emri im është propozuar dhe falënderoj ata që e kanë mbështetur këtë ide. Kur të marr nëse marr një propozim zyrtar, do të mund të vendos edhe për një vendim përfundimtar,” tha Hasimja.

Ai shtoi gjithashtu se edhe dy emrat e tjerë të përfolur, Florian Haçkaj dhe Edlira Çepani, janë kandidatura që i vlerëson maksimalisht dhe do të ishin zgjedhje të shkëlqyera për opozitën.

Më herët, opozita njoftoi se është dakordësuar për të pasur një kandidat të përbashkët për zgjedhjet në Tiranë. Hasimja është propozuar nga Partia Mundësia, ndërsa në takimin e sotëm të Partisë Demokratike janë diskutuar edhe emrat e Çepanit dhe Haçkajt.

Në krahun tjetër, nga Partia Socialiste pritet që në garë të jetë Ogerta Manastirliu, e cila do të përfaqësojë mazhorancën.