Të tjera detaje janë zbardhur nga plagosja e ndodhur mbrëmjen e sotme në Fier.

Nga informacionet paraprake mësohet se mes dy personave ka ndodhur një sherr në një lokal, dhe më pas Kejdi Beqaj ka plagosur me armë zjarri 40-vjeçarin. 40-vjeçari mësohet se është në proces divorci me bashkëshorten e tij, ndërsa autori dyshohet se është i dashuri i gruas së të plagosurit.

Ky i fundit ndodhet në spitalin e Fierit, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa ka një plagë në bark.

Njoftimi i policisë:

Plagosi me armë zjarri një 40-vjeçar, Policia identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar. Vijon ndjekja për kapjen e autorit, shtetasit K. B., banues në Cakran.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier rreth orës 21:00, kanë marrë njoftim se në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Zogut të Zi”, një shtetas ka plagosur me armë zjarri një shtetas tjetër. Menjëherë shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe falë veprimeve të shpejta kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, shtetasin K. B., banues në Cakran dhe janë vënë në ndjekje të tij.

Shtetasi K. B. në rrethana ende të paqarta ka plagosur me armë zjarri shtetasin G. H., 40 vjeç, banues në Fier. 40-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet në vendngjarje me qëllim zbardhjen dhe dokumentin e plotë të rrethanave të ngjarjes.