Të dhëna të reja nga ekspertiza balistike po ndihmojnë hetuesit italianë të rindërtojnë dinamikën e vrasjes së 36-vjeçarit shqiptar Gjovalin Lazri në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos. Nga analizat e kryera rezulton se të shtënat që i morën jetën shqiptarit dyshohet se janë kryer nga një distancë jo më e madhe se 14 metra.

Në qendër të hetimeve është Roberto Mollo, 35 vjeç. Sipas versionit të rindërtuar deri tani nga autoritetet, ai është zgjuar gjatë natës pasi ka dëgjuar zhurma të personave që kishin hyrë në pronën e familjes. Mollo dyshohet se është ngjitur nga kati përdhe drejt ballkonit të katit të parë dhe, pasi ka dalluar persona jashtë banesës, ka qëlluar disa herë me një pistoletë gjysmë automatike.

Hetuesit gjetën në vendngjarje 12 gëzhoja, të cilat ndodheshin të përqendruara në të njëjtën zonë të banesës. Pozicionimi i tyre ka ngritur dyshimin se të gjitha të shtënat mund të jenë kryer nga e njëjta pikë dhe në një drejtim të vetëm.

Pjesë e provave të sekuestruara janë edhe tre elektrikë dore. Njëri prej tyre u gjet pranë trupit të Lazrit. Në fazën fillestare ishte vlerësuar se personat drejt të cilëve u qëllua mund të ndodheshin rreth 10 deri në 30 metra larg.

Ekspertiza balistike e ka ngushtuar ndjeshëm këtë distancë. Sipas rezultateve të deritanishme, ekziston mundësia e madhe që qitja të jetë kryer nga jo më shumë se 14 metra larg. Një prej predhave goditi Lazrin në qafë, duke i shkaktuar plagën që rezultoi fatale.

Për të rindërtuar sa më saktë trajektoren e plumbave, ekspertët punuan për më shumë se pesë orë në vendngjarje. Gjatë provave u realizuan disa seri eksperimentale me nga pesë të shtëna, me qëllim krahasimin e trajektoreve me pozicionin ku ishin gjetur gëzhojat.

Në procedurën e ekspertimit morën pjesë prokurorja e Asti-t, Laura Deodato, përfaqësuesit ligjorë të palëve dhe ekspertët e caktuar prej tyre.

Një tjetër verifikim pritet të zhvillohet gjatë natës. Këtë herë nuk do të ketë prova me armë, por do të rikrijohen kushtet e ndriçimit dhe të dukshmërisë që dyshohet se kanë qenë të pranishme në momentin e ngjarjes.

Hetuesit synojnë që përmes këtyre verifikimeve të përcaktojnë pozicionet e personave të përfshirë dhe të rindërtojnë sa më saktë momentet që çuan në vdekjen e Gjovalin Lazrit.