Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur urdhrat për zbatimin e vendimit të formës së prerë të Gjykatës Administrative të Apelit, duke i hapur rrugë rikthimit në detyrë të Alban Dokushit si sekretar i përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës.
Urdhrat janë protokolluar në Bashki dhe vijnë pas vendimit të gjykatës, e cila shpalli absolutisht të pavlefshme aktet me të cilat Dokushi ishte liruar nga shërbimi civil dhe i ishin ndërprerë marrëdhëniet financiare. Shkarkimi i tij ishte bërë më herët me urdhër të Anuela Ristanit.
Në arsyetimin e saj, Gjykata Administrative e Apelit thekson se aktet e kundërshtuara konsiderohen juridikisht sikur nuk kanë ekzistuar asnjëherë, pasi nuk kanë prodhuar pasoja ligjore dhe nuk kanë hyrë në fuqi.
Po ashtu, gjykata nënvizon se aktet e shpallura me pavlefshmëri absolute nuk mund të korrigjohen apo të legjitimohen më pas nga institucioni që i ka nxjerrë.
Me firmosjen e urdhrave nga kryebashkiaku Veliaj, vendimi i formës së prerë i Gjykatës Administrative të Apelit hyn në fazën e zbatimit, duke rikthyer Alban Dokushin në postin e sekretarit të përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës.
