Ervis Lami 31-vjeç është personi që është shpallur në kërkim nga policia, pasi dyshohet se është njëri prej autorëve të tritolit në një restorant në Kamëz. Lami është një emër i njohur për policinë. Ai ishte shpallur në kërkim për vrasjen e postierit Lulzim Visha, ngjarje e ndodhur në janar të këtij viti.
Lulzim Visha u qëllua me pistoletë me silenciator, ndërsa makina Porsche e autorëve u gjet e djegur në Zall Herr, bashkë me armën e shkrumbuar. Shkak i kësaj ngjarje të rëndë për hetuesit u dyshua se ishte konflikti për pronat.
Në atë kohë, policia shkoi për kontroll në shtëpinë e Ervis Lamit, por nuk e gjeti aty. Në një ambient pranë shtëpisë së tij, gjeti një armë zjarri automatike me silenciator me 15 fishekë, një sëpatë, një thikë, një këllëf pistolete “Glok” dhe në oborrin e banesës u gjetën 4 gëzhoja arme. Për këto, policia e shpalli në kërkim 31 vjeçarin dhe arrestoi kushëririn e tij, Eduart Lami, pasi kishte dyshime se armët përdoreshin nga të dy.
Ngjarja në Kamëz
Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim të dyshuar si autorë të shpërthimit të ndodhur ditën e djeshme në restorantin ‘Perla e Detit’ në zonën e Kamzës. Jeton Lami 31 vjeç, Florin Domi 30 vjeç dhe Flogert Mezhika 34 vjeç, janë personat e arrestuar ndërsa në kërkim është shpallur Ervis Lami, i cili po ashtu në fillim të vitit kërkohej për vrasjen e postierit Lulzim Visha, po në Kamëz.
Jeton Lami është ish-oficer i forcave Operacionale, i liruar nga burgu në nëntor të vitit 2023, i dënuar për ‘shpërdorim detyre’ teksa dyshohet se ka shoqëruar me makinë të shumëkërkuarin Ervis Martinaj në Durrës, para se ky i fundit të zhdukej pa lënë gjurmë.
Shkak për hedhjen e eksplozivit në pjesën e jashtme të biznesit, mësohet të jetë bërë shuma e 500 000 eurove, gjobë kjo që autorët i kishin vendosur pronarit Saimir Sina ndërsa ky i fundit kishte refuzuar që t’ia jepte.
Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Godina e restorantit është në pronësi të Saimir Sinës, por i marrë me qira nga 2 kunetërit Klodjan Murati dhe Benard Elezi. Këta të fundit deklaruan ditën e djeshme se nuk kanë konflikte me njeri
