Janë publikuar pamjet e automjetit të 31-vjeçarit Kejdi Spaja, i cili dyshohet se ishte shënjestra e atentatit të mbrëmshëm në zonën e Shkozës. Nga ky sulm me armë zjarri mbeti i plagosur efektivi i policisë, Anxhelo Kumaraku. Në fotot e siguruara dallohen qartë shenjat e shumta të plumbave të qëlluar në drejtim të makinës.

Ngjarja ka ndodhur në rrethana ende të paqarta, ndërsa hetuesit po verifikojnë dinamikën e atentatit dhe personat e përfshirë.

Polici Anxhelo Kumaraku ndodhej jashtë shërbimit dhe pranë banesës së tij në Shkozë kur u plagos në këmbë pak. 30-vjeçari ndodhej në shoqërinë e fqinjit të tij, Kejdi Spajës, i cili kishte thyer masën e arrestit në shtëpi. Në janar, ai ishte arrestuar nga “Shqiponjat” për armëmbajtje pa leje ndërsa qarkullonte në kryeqytet. Ajo që e ktheu Spajën në shënjestër është konflikti për një çështje borxhi me dy vëllezër, Aldo dhe Ali Lika, 33 dhe 22 vjeç, tashmë të shpallur në kërkim.