Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzon Komisionin e Posaçëm të Verifikimit të Figurës dhe lejon të vazhdojë garën për në Gjykatën Antikorrupsion të gjyqtarit Gerd Hoxha.

Siç bëjnë me dije burimet e gazetares së Top Channel Anila Hoxha, anëtarët e KLGJ votuan 7 pro dhe 3 kundër. Gjatë mbledhjes së sotme, Këshilli i dha të drejtë gjyqtarit Hoxha, duke u bazuar në urdhërimin e Gjykatës Kushtetuese për të vazhduar garën si kandidat në GJKKO. Me këtë vendim Këshilli e kualifikoi, duke zhbërë vendimin e Komisionit të Posaçëm të SPAK (Behar Dibra, Ened Nakuci, Elton Kërluku), që kishte vendosur të mos e lejonte gjyqtarin të vazhdonte garën drejt GJKKO, sepse sipas tyre gjyqtari ishte i papërshtatshëm për të vazhduar garën në GJKKO.

Ata përdorën për këtë vendim një fotografi të shkrepur në festën e Ambasadës Britanike, ku gjyqtari Hoxha, që ishte i ftuar mes shumë personaliteteve, i dha dorën kryetarit të bashkisë Erjon Veliaj.