I ftuar në emisionin Top Story me Grida Dumën, Eduart Subashi, qytetari që u tërhoq zvarrë nga policia private në Zvërnec, foli për konfliktin e pronësisë në zonë, duke pretenduar se ai dhe familjarët e tij janë pronarë të ligjshëm të tokave që, sipas tij, u janë lënë trashëgim nga të parët dhe disponojnë dokumentacion përkatës.
“Unë jam ai qytetari që u tërhoqa zvarrë atje për të drejtën time, në tokën time, dhe këta njerëzit që janë bashkë me mua janë pronarë të asaj pjese dhe i kanë të gjitha me dokumente. Është gjithçka që na e kanë lënë të parët tanë dhe nuk mund të na e marrë askush në këtë mënyrë. Ne shkuam aty për të bërë një protestë miqësore dhe shkova te ai gardhi të pyes për çfarë arsye është vënë një gardh… për çfarë arsye është thurur toka ime? I thashë për çfarë arsye është thurur ky gardh dhe direkt më morën dhe më tërhoqën zvarrë. U thashë: këtu është toka jonë. Të gjithë ne këtu i kemi ato toka me ligjin 7501. Ne tani ndodhemi në Athinë”, tha ai.
Ai deklaroi se prej vitesh po ndjekin rrugën ligjore për zgjidhjen e çështjes, duke theksuar se procesi gjyqësor ka nisur në vitin 2006 dhe se e kanë fituar çështjen në shkallën e parë në vitin 2013, por ende nuk kanë marrë certifikatat e pronësisë. Sipas Subashit, çështja është bllokuar për shkak të mbivendosjeve të pretenduara të pronave, ndërsa shtoi se nuk e di se kush figuron si përfitues i tokave.
“Jemi të bllokuar, nuk bëjmë dot asgjë në asnjë zyrë. E kemi hedhur çështjen në gjykatë, kemi fituar në shkallën e parë, jemi ende në proces. Procesi ka nisur në vitin 2006. Në vitin 2013 e fituam në shkallën e parë. Kur shkonim në zyrat përkatëse kishim të njëjtën përgjigje: ‘Zvërneci është i bllokuar. Tokat i ka dikush tjetër’. Asnjë zgjidhje, as për tokat, as për ullinjtë. Shtyheshin seancat, me pretendime se mungonte dikush. E mbajnë peng. Përderisa nuk na japin certifikatë pronësie, atëherë e ka marrë dikush tjetër. Mesa di ka mbivendosje, ndaj nuk japin letra. Nuk e njoh se kush është ai person. Ne kërkojmë të zgjidhet çështja e tokës. Si kanë kaluar te dikush tjetër, atë duhet ta kërkojë shteti”, tha ai.
Në fund, ai u shpreh se çështja tashmë ka kaluar për shqyrtim në SPAK, por tha se deri më tani ai dhe familjarët e tij nuk janë thirrur nga kjo strukturë.
“Çështja jonë ka kaluar në SPAK, këtë e shohim nga media. Ne në SPAK nuk na kanë thirrur”, deklaroi Subashi.
