Një nga pasagjerët që ndodhej në avionin ku u dëmtua një dritare gjatë fluturimit nga Greqia drejt Gjermanisë ka rrëfyer momentet e tmerrit që përjetoi, duke thënë se mendoi se nuk do t’i mbijetonte ngjarjes.
Për gazetën britanike The Guardian, 61-vjeçari serb Ljubisa Karovic tregoi se gjithçka ndodhi brenda pak sekondash. Sipas tij, një zhurmë e fortë e zgjoi nga gjumi dhe menjëherë pas kësaj u gjend i tërhequr drejt dritares së dëmtuar nga humbja e menjëhershme e presionit në kabinë. Ai arriti të mos nxirrej jashtë vetëm sepse ishte i lidhur me rripin e sigurimit.
“Jam ende gjallë dhe e konsideroj veten me shumë fat. Nuk mbaj mend gjithçka që ndodhi, por ende kam dhimbje në kokë dhe në qafë. Besoj se rripi i sigurimit më shpëtoi jetën, por mbi të gjitha falënderoj Zotin për këtë mrekulli”, u shpreh ai.
Sipas bashkëshortes së tij, Svetlana, pasagjerët reaguan menjëherë për ta tërhequr brenda dhe për të mbyllur përkohësisht hapjen e krijuar nga dritarja e dëmtuar. Ajo pretendon se në ato momente vendimtare nuk pati ndërhyrje nga ekuipazhi i kabinës, ndërsa veçoi ndihmën e një pasagjeri shqiptar.
“Një burrë, që besoj se ishte shqiptar, bëri gjithçka për ta shpëtuar. Fillimisht u përpoq të bllokonte hapjen me një çantë, por ajo u thith menjëherë nga presioni. Më pas përdori një valixhe dhe arriti ta mbante të mbyllur. Do t’i jemi gjithmonë mirënjohës”, deklaroi ajo.
Nga ana tjetër, Ryanair ka kundërshtuar versionin e çiftit, duke theksuar se ekuipazhi respektoi të gjitha procedurat e sigurisë. Kompania shpjegoi se gjatë zbritjes emergjente stjuardët ishin të detyruar të qëndronin të lidhur me rripat e sigurimit dhe të pajisur me maska oksigjeni deri sa avioni të arrinte një lartësi të sigurt. Vetëm më pas, sipas kompanisë, stafi i kabinës ndërhyri për të ndihmuar pasagjerin, e zhvendosi pranë bashkëshortes së tij dhe i ofroi asistencën e nevojshme deri në uljen e avionit në Selanik.
Edhe avokati i çiftit ka hedhur akuza ndaj ekuipazhit, duke deklaruar se klienti i tij humbi ndjenjat disa herë gjatë incidentit dhe se ndihma, sipas tij, erdhi kryesisht nga pasagjerët.
Ai shtoi se dëshmitarët kanë përshkruar ekuipazhin si të tronditur nga situata, duke pretenduar se anëtarët e stafit ishin të paralizuar nga frika për shkak të rënies së menjëhershme të lartësisë së avionit.
Ndërkohë, Karovic është larguar nga spitali pas marrjes së ndihmës mjekësore, por vijon të ketë probleme shëndetësore. Mjekët i kanë bërë me dije se rikuperimi nga dëmtimet në kokë dhe qafë pritet të zgjasë dhe do të kërkojë kohë.
