Masa të forta sigurie janë marrë ndaj Durim Bamit pas transferimit të tij nga burgu i Fushë-Krujës drejt institucionit të sigurisë së lartë në Peqin.
Sipas raportimeve, ai është izoluar në sektorin B të burgut për arsye që lidhen me sigurinë e jetës së tij dhe për të parandaluar çdo ngjarje të mundshme kriminale ndaj tij.
Burime bëjnë me dije se me urdhër të brendshëm, Durim Bami lejohet të dalë në ajrim i vetëm dhe në orare të veçanta, pa kontakt me të burgosur të tjerë. Urdhri po zbatohet nga të gjitha turnet e policisë së burgjeve.
Informacionet mbi një atentat të mundshëm ndaj tij mbahen konfidenciale, ndërsa mësohet se edhe pas ekstradimit nga Dubai, Bami kishte kërkuar lirimin nga paraburgimi 313 duke pretenduar se jeta e tij ishte në rrezik.
Ndërkohë, kontrollet e befasishme në burgjet e vendit vijojnë prej ditësh. Burgu i sigurisë së lartë në Peqin dhe institucioni në Reç janë kontrolluar disa herë radhazi në kuadër të masave për goditjen e sendeve të ndaluara dhe rritjen e sigurisë.
