Deklarata e kryeministrit Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët me homologun britanik Keir Starmer se nuk do të ketë marrëveshje me Britaninë për emigrantët, të ngjashme si ajo me Italinë ka bërë bujë në mediat angleze.

“Daily Mail” i ka dedikuar një artikull, ku “kryqëzon” Starmer, teksa shkruan se u turpërua nga Edi Rama.

“Keir Starmer mbeti i skuqur sot teksa përshëndeti bisedimet mbi qendrat e kthimit në stilin e Ruandës, pak minuta para se homologu i tij shqiptar të përjashtonte mundësinë e organizimit të një marrëveshjeje të tille.

Kryeministri zbuloi këtë mëngjes se ka autorizuar diskutime me një sërë shtetesh të Ballkanit që do ta shihnin Mbretërinë e Bashkuar të paguante për të dërguar azilkërkuesit e refuzuar jashtë shtetit. Ai sugjeroi se do të fliste për këtë ide me Edi Ramën gjatë një vizite në Tiranë sot.

Megjithatë, në një konferencë të përbashkët për shtyp, zoti Rama tha: ‘Kam qenë shumë i qartë që nga dita e parë kur filluam këtë proces me Italinë  se ky ishte një rast i vetëm me Italinë për shkak të marrëdhënies sonë shumë të ngushtë, por edhe për shkak të situatës gjeografike, gjë që ka shumë kuptim.’”– citohet në artikull.

Më tej thuhet se Sir Keir nuk pranoi të emëronte vendet e përfshira që mendohet të përfshijnë Serbinë, Bosnjën dhe Maqedoninë e Veriut, por shtoi: “Në kohën e duhur, do të jem në gjendje t’ju jap detaje të mëtejshme në lidhje me këtë.”

Sir Keir e hoqi dorë nga skema e Ruandës brenda pak ditësh pasi erdhi në detyrë, duke e quajtur atë një mashtrim. Por ministrat tani po përpiqen të gjejnë një zëvendësim që mund të veprojë si një pengesë për emigrantët e Kanalit, pas një rritjeje të kalimeve që kur Partia Laburiste erdhi në pushtet.”– shton më tej “Daily Mail”.