Korça u zgjua këtë mëngjes nga një ngjarje tragjike, ku një 66-vjeçar humbi jetën pasi automjeti i tij u përfshi nga flakët. Sipas dyshimeve paraprake, viktima, që mendohet se ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike, i ka vënë vetë zjarrin mjetit, duke mbetur i bllokuar brenda dhe duke humbur jetën.

Ngjarja u regjistrua rreth orës 08:40 në lagjen nr. 10 të qytetit të Korçës.

Ndërkohë, fqinjët e Irakli Çinokut shprehen të tronditur nga ajo që ka ndodhur. Një prej tyre tha se 66-vjeçari njihej si një njeri korrekt dhe i respektuar në komunitet.

“Jemi prej vitesh komshinj. Ishte një njeri shumë i rregullt dhe nuk kam dëgjuar ndonjëherë të ketë pasur konflikte. Për jetën brenda familjes nuk mund të flas, pasi nuk kam dijeni. Ai jetonte me bashkëshorten, Vjollcën. Ishte pensionist dhe kishte dy djem, njëri jeton në Angli, ndërsa tjetri punon si mjek në Greqi”, u shpreh fqinji.

Sipas tij, në lagje nuk njihej për probleme apo përplasje me askënd, ndërsa lajmi për vdekjen e 66-vjeçarit ka shkaktuar tronditje te banorët e zonës.

Policia vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa po verifikohen të gjitha pistat që lidhen me shkaqet e këtij rasti tragjik.