Rreth 22 orë pas njoftimit se po largohet nga Partia Socialiste dhe do të vijojë mandatin si deputete e pavarur, Marjana Koçeku ka reaguar sërish në rrjetet sociale.

Ajo ka publikuar një foto të një flamingoje në Instagram dhe Facebook, një postim që është interpretuar si simbolik dhe që lidhet me vendimin e saj për t’u distancuar nga grupi parlamentar socialist, në një moment kur në vend po zhvillohen protesta.

Pas këtij vendimi, deputetët e Partisë Socialiste kanë reaguar duke thënë se kanë tentuar të kontaktojnë kolegen e tyre, por pa sukses. Sipas tyre, telefoni i Koçekut ka qenë i fikur, ndërsa disa prej tyre me ironi kanë sugjeruar edhe mundësinë e “hakerimit” të llogarisë së saj në Facebook, ku ajo kishte shkruar në gegërisht se “prej sot jam deputete e pamvarun”, duke theksuar se bindjet e saj politike janë të hershme dhe personale.

Nga ana tjetër, mësohet se vendimi i saj nuk i është komunikuar ende zyrtarisht kreut të Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla. Gjatë mbledhjes së grupit, ai është shprehur se çështja do të trajtohet në një moment të mëvonshëm.

Largimi i papritur i deputetes së qarkut Shkodër ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku disa përdorues i kanë kërkuar që të dorëzojë mandatin e fituar nën siglën e Partisë Socialiste.

Marjana Koçeku, e njohur edhe si “Neomalësorja”, ishte një nga prurjet e reja të PS-së në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025, e vendosur në krye të listës së mbyllur në qarkun Shkodër me mbështetjen e drejtuesve politikë të asaj kohe. Ajo u bë e njohur edhe për aktivitetin e saj sipërmarrës në zonat malore, ku menaxhon një bujtinë dhe një fermë me dhi që është kthyer në atraksion për vizitorët e huaj.