Kandidatja vetëshpallur për Bashkinë e Tiranës nga radhët e Partisë Demokratike, Adriana Kalaja i ka kërkuar Sali Berishës të shfuqizojë vendimin e marrë në fundjavë ku i hapte rrugë emrave jopolitikë për tu mbështetur nga opozita në 9 Nëntor.

Në një kërkesë me cilësinë e Kryetares së Komisionit të Apelimit dhe Vlerësimit të Statutit, ajo thotë se ky vendim i Kryesisë së PD-së bie ndesh me statusin e partisë, gjithashtu moszgjedhja e një kandidature politike forcon tezën se demokratët kanë frikë të hyjnë në garë.

“Ky vendim në aspektin moral dhe politik, ndikon negativisht te strukturat e degëve të PD së pasi tregon frikë dhe mos pranim të hyrjes në garë, dhe mbi të gjitha, nuk mund të pranohen si kandidatura persona që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për Tiranën dhe qytetarët e saj. Për të mos folur që një pjesë e tyre i kanë shërbyer regjimit, nëse vijoni të mbani tezën se ne jetojmë në regjim. Ndërkohë që, duhet të shërbente si një arsye shumë e mire, për aktivizimin e strukturave dhe të mbështetësve, duke e konsideruar një ‘trampoline’ për zgjedhjet e vitit 2027”, shkruan Kalaja.