Familjarët e Lime Dedejt, të indinjuar kërkojnë lirimin e autorit


Pretendimet – Motrat flasin për dëshmi të rreme të Bujarit, pasi asnjëherë ai vetë nuk ka mundur të provojë pretendimet absurde për tradhti


Fëmijët pritet të kthehen javën që vjen në shkollën “Demokracia”, që ndodhet pranë shtëpisë së tyre


Vali Qyrfyçi


Lime dhe Bujar Dedej


“Të thotë ç’të dojë. Viktima nuk ka gojë të mbrohet. Ai vetë bënte gam gam gjithë ditën dhe përfundoi në vrasjen e së shkretës”. Me këto fjalë reagojnë në zonën ku jetonte çifti Dedej, pasi kanë ndjekur arsyetimin absurd të autorit përmes avokatit mbrojtës në sallën e gjyqit. Reagojnë dhe motrat e viktimës, ndërsa në shtëpinë e tyre e prindërve në rrethin e Matit gjendja është e rëndë. Rreth 9 vjet pas martesës me Bujarin kanë humbur Limen dhe fati i fëmijëve nuk dihet. Motra shprehet që shteti dhe policia, të cilët i lanë të jetojnë në një shtëpi të kujdeset për ta.


Familja


Ç’do të bëhet me dy fëmijët Dedej, pas krimit që i goditi të premten e kaluar, duke i lënë pa nënën, njeriun që u dha jetën? Kjo është dilema e shumë njerëzve, ndërkohë që fqinjët thonë se për ta po kujdeset motra e Limes, Lindita, e cila jeton me qira në Durrës dhe do të zhvendoset në shtëpinë e së motrës, shtëpi e ndërtuar në një truall të blerë nga vëllezërit e viktimës për t’i ardhur në ndihmë së motrës dhe bashkëshortit të saj. Në fillim të javës së ardhshme, fëmijët pritet t’i kthehen shkollës. Ata ndjekin shkollën “Demokracia”, që ndodhet pranë shtëpisë së tyre. Lindita, në një kontakt telefonik të mundësuar nga fqinja e Limes thotë se të gjithë në familje, motra e vëllezër ndihen të rrënuar, nga vrasja makabre, humbja e dhunshme e motrës dhe fatkeqësia që i gjeti ata dhe fëmijët: “Ai të thotë e të bëjë ç’të dojë. Nuk duam t’ia dimë. Na iku motra”, shprehet motra e madhe e Limes, ndërkohë që e indinjuar nga përfolja që ai (Bujari) dhe gazetarët i kanë bërë motrës së tyre, duke shtuar se uron, madje kërkon që ta lënë të lirë. “Nuk duam ta shohim në burg, përkundrazi…”. Motrat flasin për dëshmi të rreme të Bujarit, pasi asnjëherë as ai vetë nuk ka mundur të provojë pretendimet e tij absurde, ndërsa të motrën në fshatin nga vijnë e njohin të gjithë, ashtu si dhe familjen e saj: “S’jemi familje si ajo e Bujar Dedejt. Jemi familje e nderuar dhe e njohur në të gjithë zonën, po mjerë motra jonë për fatin e saj. Po na luan mendja e kokës. Nuk dimë si do të reagojmë, sa për fëmijët ende nuk dimë të themi. Le të kujdeset shteti për ta, shteti dhe policia që i lanë në një shtëpi”. Në Mat, dyert e familjes Hysa vazhdojnë të jenë të hapura për ngushëllime, ndërsa nëna e Limes është në gjendje të rëndë nga humbja e frikshme e së bijës. Familjarët e përshkruajnë gjendjen si mjaft të acaruar, ndërkohë dy ditë më parë, mbrojtja e Bujar Dedejt deklaroi se krimi u krye për shkak se viktima nuk ishte një grua e moralshme dhe se kjo po ndikonte dhe te fëmijët.


Fqinjët


Ndërsa shtëpia në Durrës është e mbyllur. Pas klithmave të fëmijëve dhe të qarave të fqinjëve gjatë natës së tmerrit, heshtja ka mbërthyer shtëpinë e varfër, ndërsa dera blu është kyçur me një dry të ftohtë që shkëlqen nën rrezet e diellit të këtij fundtetori. Në një krim familjar, pas asaj që largohet nga kjo botë, viktimat e vërteta janë fëmijët. Dy fëmijët e çiftit Dedej pas tragjedisë që u ndodhi në shtëpi nuk janë kthyer më as në shtëpi dhe as në shkollë. Fqinjët e familjes së zhbërë tregojnë se ata kanë shkuar në fshatin e së ëmës, atje ku familja e Limes ka çelur mortin dhe pret ngushëllimet, larg vendit ku u masakrua vajza e tyre. Vjollca, fqinja që ka marrë e para lajmin e kobshëm të vrasjes së 41-vjeçares Lime nga ish-bashkëshorti thotë se ende nuk e ka marrë veten nga gjithçka ka ndodhur. Thotë se ende i jehojnë në kokë ulërimat e fëmijëve të Limes teksa i binin me forcë derës së saj, “gati sa nuk e hodhën në tokë”, për t’i treguar gjëmën që i ndodhi së ëmës. “Nuk besoj tek ato që thoshte, as te deklarimet se ajo e rrihte. Policia ka ndërhyrë 4-5 herë për të ndalur dhunën që ushtrohej mbi të”, thotë Vjollca. Një tjetër fqinj shprehet: Ç’do të thotë kjo?! “Nëse e tradhtonte u ndanë, nëse donte njeri, le ta kapte në flagrancë, po kjo kurrë nuk ndodhi, ai vetëm shante dhe përgojonte nënën e fëmijëve të tij”, shprehet fqinji.