Nëna e 20-vjeçarit Johan Zuko ka reaguar përmes një postimi prekës në rrjetet sociale pas humbjes tragjike të djalit të saj.
Ornela Zuko ka falënderuar familjarët, të afërmit, miqtë dhe të gjithë personat që i kanë qëndruar pranë familjes në ditët e vështira pas ngjarjes. Ajo ka shkruar se Joani u nda nga jeta shumë herët dhe padrejtësisht, duke lënë pas një boshllëk të madh.
“Në këto ditë dhimbjeje të pafund, duam të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për të gjithë familjarët, të afërmit, miqtë, shokët dhe të njohurit që na qëndruan pranë, por dhe të gjithë ju miqtë e mi që më keni dërguar një numër të pafundëm mesazhesh në humbjen më të rëndë të jetës sonë.
Prania juaj, fjalët ngushëlluese, përqafimet dhe çdo gjest dashurie e respekti për Joanin tonë na dhanë forcë në çastet kur zemrat tona ishin të copëtuara. Dashuria që i treguat dëshmoi edhe një herë se sa shumë u desh dhe sa kujtime të bukura la në zemrat e të gjithëve.
Joani ynë u largua padrejtësisht dhe shumë herët, duke lënë pas një boshllëk që asgjë nuk mund ta mbushë. Por buzëqeshja, mirësia, dashuria dhe shpirti i tij i bukur do të jetojnë përgjithmonë brenda nesh”, ka shkruar nëna e 20-vjeçarit.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së shtunës. Sipas të dhënave të bëra publike, Johan Zuko u qëllua me armë zjarri pas shpine nga shoku i tij i fëmijërisë, Kristjan Sterjo.
20-vjeçari, i cili kishte qenë ish-ushtarak, mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Pas krimit, Kristjan Sterjo u largua nga vendi i ngjarjes, por u arrestua disa orë më vonë nga policia pranë banesës së tij. Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes së rëndë.
