Familjarë dhe të afërm do t’u japin sot lamtumirën e fundit Selam dhe Nazmi Islamajt, dy vëllezërve që humbën jetën një ditë më parë, pasi u qëlluan me armë zjarri nga fqinji i tyre, Ngushëllim Manzi.
Ndërkohë, Shefqet Islamaj, i cili mbeti i plagosur gjatë të njëjtit incident, vijon të jetë i shtruar në spital nën kujdes intensiv. Gjendja e tij shëndetësore mbetet e rëndë dhe, sipas informacioneve të raportuara, ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën.
Ngjarja e rëndë dyshohet se e ka zanafillën te një mosmarrëveshje mes fqinjëve, e shkaktuar nga punimet për ndërtimin e një muri rrethues në pronën e familjes Islamaj.
Sipas të dhënave paraprake, kalimi i betonierëve gjatë punimeve kishte shqetësuar Ngushëllim Manzin, duke sjellë fillimisht debate verbale, të cilat më pas u përshkallëzuan në një konflikt ku u përfshinë edhe familjarë të të dyja palëve.
Në dëshminë e tij, Manzi ka pretenduar se ka marrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar pasi Shefqet Islamaj kishte shtyrë prindërit e tij. Këto pretendime mbeten pjesë e hetimeve për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Edhe gjatë ditës së sotme, efektivë të Komisariatit të Policisë nr. 5 vijojnë të qëndrojnë në zonën ku ndodhi ngjarja, për të parandaluar tensione të mundshme mes familjeve.
Prania e shtuar e policisë lidhet edhe me faktin se banesat e familjes së viktimave dhe të autorit të dyshuar ndodhen në afërsi të njëra-tjetrës.
