Një shqiptar është dënuar me 5 vite burg, pasi në banesën e tij iu gjetën 16 kg kokainë dhe mbi 1.5 milionë euro.

Mësohet se i riu është arrestuar në Perugia në nëntor, gjatë një kontrolli të rastësishëm nga “Guardia di Finanza” në zonën ku ai banonte.

Qeni i policisë italiane zbuloi fillimisht një ndarje të krijuar pas airbag-ut, ku nuk u gjet gjë, ama përforcoi dyshimet e efektivëve, të cilët kontrolluan dhe banesën e shqiptarit.  Më pas, në dollapin e dhomës së gjumit, u gjetën blloqe kokaine të mbështjella me vakum, të fshehura me kujdes.

Sot, Gjykata e Perugias, nën drejtimin e gjyqtares Simona Di Maria, shpalli vendimin: pesë vite burgim, një vit më pak nga ajo që kërkonte prokuroria. Gjykimi i shkurtuar, një procedurë që parashikon zbutjen e dënimit në këmbim të pranimit të fakteve, e shpëtoi të riun nga një dënim më i rëndë.

Avokatja mbrojtëse, Daniela Paccoi, theksoi se klienti i saj është pa precedentë penalë dhe ka jetuar e punuar prej vitesh në Itali si ndërtues. Sipas burimeve hetimore, ky është një nga konfiskimet më të mëdha të drogës të kryera ndonjëherë në rajonin italian të Umbrias. Autoritetet besojnë se apartamenti i shqiptarit shërbente si një qendër klasifikimi dhe shpërndarjeje për rrjetin e shpërndarjes së kokainës në Italinë Qendrore.

Hetimet janë ende në vazhdim, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve dhe shkatërrimin e rrjetit të trafiku, të cilit besohet se i përkiste 29-vjeçari.