Kryeministri Edi Rama ka komentuar sërish protestën që po mbahet prej 9 ditësh kundër investimit në Zvërnec.

Rama ka kritikuar pjesëmarrësit në protestë duke thënë se nuk reaguan kur në Shqipëri lejohej gjuetia ilegale dhe vriteshin specie të mbrojtura. Më tej ai shtoi se problemi qëndron tek personat që e organizojnë protestën, të cilët sipas tij duan ta marrin peng vendin.

“Se realisht po të përpiqesh t’i dëgjosh, çfarë nuk dëgjon. Ishte dje një patriot që thoshte Rama i ka ulur qëllimisht biletat e avionëve për t’i bërë të marrin sa më shumë avionët dhe të ikin. Çfarë do ky, që ne të rrisim çmimin e avionëve? Ne jemi në një hapësirë ku thuhet gjithçka dhe nuk dëgjohet asgjë. Shpërthyen papritur ethet ambientaliste të të gjithë shqiptarëve, në thonjëza të të gjithë shqiptarëve. Ata nuk duan me ditë se njerëzit që janë në kafe mund të kenë qenë gjithë ditën në punë, ata s’duan t’ia dinë. U thonë çohuni nga kafja dhe hajdeni me ne për Shqipërinë e re.

Po për çfarë? U zgjuan një ditë dhe u bënë ambientalistë dhe po kërkojnë shpëtimin nga unë dhe ju. Ku ishin këta kur kërciste në Shqipëri gjuetia ilegale dhe vriteshin specie të mbrojtura? Kur Shqipëria kishte në fuqi ligjin e plehrave? Unë nuk e kam me ta, por me ata që po bëjnë çmos për ta marrë peng dhe ta çojnë në drejtim të paditur atë nevojë të njerëzve, qytetarëve që papritur u ndjenë para një alarmi që duhej të bënin diçka për ta ndalur, sepse papritur morën vesh që ka një plan djallëzor për të shitur Shqipërinë dhe për të rrafshuar një zonë të mbrojtur, e pastaj për të sjellë aty, ca thoshin palestinezët, ca izraelitët, ca masivë betoni…

Unë i kuptoj ata, por në ditën e parë e të dytë nuk i kuptoj më pastaj kur shkojnë pas betejës dhe ca nga fakti që nuk e dinë e ca që nuk duan ta dëgjojnë, harrojnë krejtësisht se me kë janë duke bërë… Kam parasysh veten time, qeverinë tonë”, tha Rama.