Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e djeshme në fshatin Agonas të Kavajës, ku humbi jetën 74-vjeçari Eqerem Rreshka. Sipas burimeve, viktima kishte qenë në tokën e tij për të marrë dengje bari me zetor dhe pas kthimit në shtëpi ishte takuar me vëllain e tij të madh. 76-vjeçari Muhamet Rreshka i ka thënë vëllait të tij që të mos kalonte në atë rrugë sërish, ndërsa ky i fundit e kishte shtyrë me zetor.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:30, ku pas këtij konflikti verbal, 76-vjeçari ka nxjerrë thikën dhe ka gjuajtur vëllain e tij duke e lënë të plagosur. Pas kësaj, është bërë transpotimi i menjëhershëm i tij në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por për shkak të plagëve të marra nuk arriti të mbijetojë dhe humbi jetë në spital. Autori pas ngjarjes ka shprehur pendesë në lidhje me krimin, teksa mësohet se ushtronte detyrën e kryeplakut të fshatit.
