Në uniformë ushtarake me emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qindra ish-luftëtarë u pritën me përshëndetje ushtarake në pikën kufitare mes Kosovës e Shqipërisë.

Drejtuesit e policisë se kësaj pike nga të dy shtetet u dekoruan nga ish-luftëtarët të cilët në mënyrë solemne kaluan këtë pikë, për të vazhduar drejt Tiranës, ku mbahet protesta mbarëkombëtare në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Krahas tyre ishin edhe veteranë të tjera që me motoçikleta u nisën për në kryeqytetin shqiptar.Por nuk ishin të vetmit që këtë të premte u nisën për në Shqipëri. Mijëra të tjerë, nga qytete të ndryshme të Kosovës me autobusë morën rrugën për në Tiranë, për të përcjellë një mesazh të vetëm, “Liri për çlirimtarët”.

Të tjerë, individualisht me flamuj kombëtar e ata të UÇK-së u nisën për ta bërë më të zëshme protestën mbarëkombëtare. Në këtë rrugëtim dhe me kërkesën për ndalimin e padrejtësive ndaj UÇK-së, nuk mungoi as Presheva.

Gjatë ditës, edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kaloi kufirin në Vërmicë, e më vonë u mësua se ka udhëtuar për në Shqipëri, për çështje private.

Tirana të premten është vendi nga ku mijëra shqiptarë i bëjnë jehonë kërkesës për drejtësi për ish-presidentin Hashim Thaçin, ish-kryekuvendarët Kadri Veselin e Jakup Krasniqin dhe ish-deputetenin e Kosovës, Rexhep Selimin, që po mbahen tash e pesë vjetë në paraburgim nën akuzën për krime lufte.

Top Channel