Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po tërheq vëmendje ndërkombëtare jo vetëm si lider politik, por edhe si artist. “The Times” i ka kushtuar një artikull të zgjeruar kreut të qeverisë shqiptare, duke theksuar se puna e tij artistike është tashmë pjesë e galerisë prestigjioze Société në Berlin, e cila ka nënshkruar kontratë me të për përfaqësim në disa prej ngjarjeve më të mëdha të artit bashkëkohor në botë.

Rama, i cili është kryeministri më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë, ka ndërtuar ndër vite një profil të veçantë përtej politikës i njohur për gjatësinë e tij, stilin ekstravagant dhe të kaluarën si basketbollist e artist.

Vepra të tij, përfshirë akuarele shumëngjyrëshe dhe skulptura qeramike me detaje bronzi, do të ekspozohen këtë vjeshtë në panairet Frieze London dhe Art Basel Paris, ndërsa një ekspozitë personale pritet të hapet në prill të vitit 2026 në Berlin.

Sipas galeristes Julia Ballantyne-Way, Rama është një “artist unik” dhe përfaqëson një ndërthurje të rrallë të politikës me artin. Ajo vlerësoi stilin e tij të lirshëm dhe intuitiv, duke shtuar se “ai e përdor artin si një mjet të të menduarit dhe të dëgjimit”, shpesh duke skicuar gjatë mbledhjeve apo takimeve politike.

Përkrahësit e Ramës e konsiderojnë përfshirjen e tij në galerinë gjermane si një njohje ndërkombëtare për ndikimin e tij në ringjalljen e artit pas realizmit socialist në Shqipëri. Ndërkohë, kritikët e shohin këtë si një strategji për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet e korrupsionit që kanë ndjekur qeverisjen e tij mbi 12-vjeçare.

Artisti dhe kritiku Oltsen Gripshi, autor i një libri mbi artin e Ramës, e përshkruan stilin e tij si neo-ekspresionist, me ndikime nga Kandinski. “Nuk mund ta ngatërrosh me askënd tjetër do ta njihje veprën e tij nga një distancë e madhe”, tha ai për The Times.

Rama, i diplomuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, ka ekspozuar më parë në Bienalen e Venecias dhe Qendrën Pompidou në Paris. Ai nuk e ka ndalur kurrë krijimtarinë, edhe gjatë viteve në pushtet, duke punuar shpesh në studio ose gjatë takimeve zyrtare.

Në Berlin, publiku do të ketë mundësi të shohë edhe skulpturën e tij të parë në ambient të hapur, përkrah veprave të reja prej bronzi dhe qeramike.