Erion Braçe ka kujtuar me anë të një postimi në Facebook 26 majin e vitit 1996, një ditë që deputeti socialist e cilësoi si një masakër elektorale. Braçe shton se këtë ditë mund ta harrojnë udhëheqësit socialistë, por jo socialistët, duke kujtuar se çfarë ndodhi 30 vite më parë, ku ai, bashkë me socialistët e Beratit, “u lanë me gjak” në rrugët e qytetit.
Shkrimi i plotë:
UDHËHEQËSIT SOCIALISTË HARROJNË, SOCIALISTËT JO!
Për të gjithë ata që më 26 Maj nuk kishin lindur, padija është e mirëkuptuar. Por secili duhet të kuptojë se qëndresa e burrave e grave të 26 Majit ndryshoi rrjedhën e historisë në këtë vend, përshpejtoi rrëzimin e një regjimi KRIMINAL që po vidhte dhe vriste. Për të gjithë ata që më 26 Maj ishin të mitur, panë prindërit e tyre të masakroheshin pasi u kishin marrë gjithçka, përfshirë punën, dhe sot drejtojnë, harresa është e pafalshme. Por secili prej tyre duhet të kuptojë që historia e Partisë Socialiste nuk nis me ta. Për të gjithë të tjerët që e dinë çfarë është 26 Maji, e kanë jetuar, kanë mësuar për të por nuk e kanë provuar, harresa nuk është politikë. Secili prej tyre duhet të kuptojë se është gjaku i socialistëve, popullit të majtë të masakruar më 26 Maj në shesh; gjaku nuk është ujë, nuk bëhet ujë, nuk shuhet me ujë, nuk falet!
SOT, UNË BËJ 30 VITE I ZGJEDHUR, ME VOTË TË SOCIALISTËVE, TË MAJTËVE, TË NJERËZVE QË KANË BESUAR NË NËNTË PALË ZGJEDHJE! Kam kërkuar disa herë në 30 vite procesverbalet e zgjedhjeve të 26 Majit; më në fund i gjeta; Unë u zgjodha për herë të parë në këto zgjedhje, këto procesverbale të hartuara pas dhunës barbare e masakrës elektorale e dëshmojnë.
Janë të gjithë njësoj, tregojnë se kanë votuar 95, 96 deri në 100% e listës së votuesve; janë të korrigjuara dhe dëshmojnë masakrën dhe pasmasakrën; dy kohë, në të parën unë isha humbës, në të dytën isha fitues, groteske por me gjak. Nga Qershori i 1997-ës, në 2001, 2005, 2009, 2013, 2017, 2021, 2025, tetë herë rresht unë jam paraqitur në zgjedhje, jam zgjedhur me votë të socialistëve, të majtëve e njerëzve që kanë besuar; kam qëndruar e jam munduar të bëj punën, me përkushtim e besnikëri ndaj këtyre njerëzve në Poliçan, BERAT, Kuçovë, Urë Vajgurore, Divjakë, Lushnjë, FIER; këtë po bëj edhe në TIRANË; JAM ENDE NË BORXH ME SECILIN VOTUES, SOCIALIST E JO VETËM, KËSHTU DO TË JETË GJITHË JETËN! Nuk ka punë e rezultat të arritur përmes punës, që vjen në balancë me nderin më të madh në jetë, TË QENIT I ZGJEDHUR, NË PUNË PREJ ATYRE NJERËZVE!
Pafund krenar që 30 vite më pas, nuk më dinë thjesht deputet të BERATIT, por NGA BERATI;
Siç nga DIVJAKA, Krutja, Allkaj, Bubullima, Kolonja, TANI NGA 5-sa E TIRANËS, TIRANA VETË!
